Secondary Adv

Kushtet e Putinit: Çfarë dëshiron në të vërtetë për ti dhënë fund luftës në Ukrainë

Putini kërkon njohjen e territoreve të aneksuara, heqjen e sanksioneve dhe një Ukrainë neutrale për t’i dhënë fund luftës.

Nga Donbasi te kufijtë e rinj

Kërkesa e parë e Vladimir Putinit është njohja e realitetit në terren në Donbas. Por kufijtë e rinj nuk mjaftojnë. Nga sanksionet te feja, nga gjuha te akuzat për krime lufte, deri te “ndryshimi i regjimit” dhe çmilitarizimi i Ukrainës, lista e pretendimeve të Kremlinit është shumë më e gjerë.

 

Në pranverën e kaluar, gjatë një videokonference me Ministrinë e Jashtme, Putin deklaroi se Rusia do të ndalte pretendimet e saj tek territoret e aneksuara në shtator 2022. Por ai refuzoi kategorikisht hipotezën e një “ngrirjeje” të konfliktit në stilin korean, pa njohjen e realiteteve të reja në terren.

 

Lista e kërkesave të Moskës

Moska kërkon:

 

-Tërheqjen e Ukrainës nga Luganski dhe Donetsku, përfshirë zonat jashtë kontrollit rus;

-Njohjen e kufijve aktualë në rajonet Zaporizhia dhe Kherson;

-Njohjen e Krimesë si territor rus;

-Angazhim që Ukraina të mos sulmojë territore të tjera dhe të mbetet neutrale;

-Njohjen e rusishtes si gjuhë zyrtare;

-Liri për Kishën Ortodokse Ruse në Ukrainë;

-Heqjen e sanksioneve nga SHBA, BE dhe vende të tjera.

 

Lëshimi më i madh që Kremlini është i gatshëm të pranojë është dhënia e garancive të sigurisë për Ukrainën, të ngjashme me Nenin 5 të NATO-s, por pa anëtarësimin e Kievit në Aleancë. Për këtë, Moska kërkon përfshirjen jo vetëm të SHBA dhe BE-së, por edhe të vendeve të tjera si Kina.

 

Rikthimi në skenën ndërkombëtare

Një nga objektivat më të qarta të Rusisë është rikthimi në një rol të plotë ndërkombëtar, pa mbajtur më koston e luftës. Sipas burimeve pranë Kremlinit, Putin i ka vendosur edhe një kusht të ri Trump-it për një marrëveshje paqeje: heqjen e akuzave të Gjykatës Penale Ndërkombëtare në Hagë. Ky urdhër-arrest i ndalon udhëtimet e tij në disa vende, mes tyre edhe Afrikën e Jugut e Brazilin.

 

Angazhime të reja dhe kufizime

Steve Witkoff, i dërguar i Trump, deklaroi se Rusia mund të pranojë ligjërisht një angazhim për të mos sulmuar shtetet evropiane, madje duke e përfshirë atë në Kushtetutë. Por vetë Putin e ka cilësuar një ide të tillë si “marrëzi”, duke theksuar se “legjenda se Rusia do të sulmojë shtetet e NATO-s është një gënjeshtër e pabesueshme”.

 

Objektivi përfundimtar: një Ukrainë neutrale

Pavarësisht diskutimeve mbi demilitarizimin dhe kufizimin e armatimeve, qëndrimi i Putinit mbetet i pandryshuar: një Ukrainë neutrale, jashtë blloqeve ushtarake. Ndërkohë, Kremlini nuk e ka fshehur synimin për një “ndryshim regjimi” në Kiev, duke e konsideruar presidentin Zelensky si armikun kryesor politik.

 

Në këmbim të këtyre kërkesave, Putin premton respektimin e kufijve të rinj dhe një sjellje të përgjegjshme në arenën ndërkombëtare. Por pas 24 shkurtit 2022, për shumëkënd kjo mbetet një “akt besimi”. /Shqiptaraj.com


Më të lexuarat